Sunday, February 14, 2016

Gjuha e gjuhëve 1*



Pjesa e parë, ku parshtrohen bazat e teorisë se shqipja është mëma e të gjithë gjuhëve dhe shpjegohet rëndësia e K-së. Ligjërata e Albanolout në Mbledhjen e Grupit të Punës për Përcaktimin e Metodës së Zhdukjes së qenve (GPPMZH).
Është fakt i pamohueshëm, ndonëse jo plotësisht i pranuar dhe i pavërtetuar shkencërisht nga një shumicë bindëse shkencëtarësh, se origjina e njeriut e ka prejardhjen te një fis i vetëm i racës njerëzore. Ky fakt, të cilin do ta marrim si të mirëqënë, nxjerr në mënyrë rrjedhimore edhe faktin tjetër, që te ky fis, te kjo racë primordiale, parësore, ka ekzistuar edhe një gjuhë e parë, primordiale ose parësore. Prej tyre, prej racës dhe gjuhës së parë, kanë dalë, në mënyrë degëzuese dhe zhvilluese racat dhe gjuhët e shumta të botës.
Por cila është gjuha që mbart në vetvete rrënjën e të gjitha gjuhëve? Cila është gjuha që shërben si pikë takimi për të gjitha gjuhët e tjera të botës? Cila është gjuha e gjuhëve, kyçi i artë i zbërthimit të gjithçkaje që flitet? Është pikërisht SHQIPJA, zonja e zotërinj, gjuha më e lashtë dhe më e vjetër e botës, gjuha e fosilizuar dhe e ruajtur prej shekujsh me fanatizëm në mënyrë të përsosur nga një popull me tradita.
Le të mos humbasim kohë dhe të hidhemi drejtpërdrejt në një pasqyrë të shkurtër përmbledhëse për të shpjeguar thelbin e teorisë sime, të cilës i kam kushtuar një punë hulumtuese 35 vjeçare.
Së pari, a mund të më jepni një shpjegim se përse në gjuën shqipe, dhe pikërisht në gjuhën shqipe, të gjitha pjesët kryesore të trupit të njeriut fillojnë me gërmën K? Le t’i përmendim disa prej tyre :  - Koka; Kreu; Kicat (përdoret për dhëmbët e fëmijës); Krahërori; Krahët; Kurrizi; Kurmi; Kërthiza; Këllqet; (më falni); (më falni) Koqet; Kofshët; Kërcinjtë; Këmbët.
Çfarë është K-ja dhe çfarë përfaqëson ajo? Çfarë fshihet pas kësaj gërme të mistershme dhe përse pikërisht ajo paraqitje grafike në alfabetin latin?
Çdo arsyetim i thjeshtë shkencor të shpije në mendimin se K nuk është gjë tjetër veçse vetë qenia njerëzore, vetë njeriu. Këtë përfundim do ta arrinte çdo gjuhëtar, sado amator që të ishte. Po ta mbani pak frymën, ta pranoni një gjë të tillë dhe të shikoni pak më tej, do të vini re të habitur se vërtet, edhe paraqitja grafike e gërmës K në alfabetin latin, i përngjan së tepërmi një njeriu që qëndron në këmbë, i parë në profil, me njërin krah të dhe njërën këmbë të nxjerrë anash. Diçka e ngjashme me figurat e egjiptianëve të lashtë. Referojuni, ju lutem, figurës numër 1 në dosjet tuaja.
Nëse K  i referohet njeriut, atëherë pa dyshim kemi shpjegimin e fjalës këmba, e cila s’është gjë tjetër veçse: këmba = K + mba, që do të thotë diçka që mban K-në, njeriun.
Ndërsa, nga ana tjetër, fjala Koka mund të zbërthehet në K + O + ka, që s’do të thotë tjetër veçe K-ja (në rastin konkret njeriu) ka një O, që përfaqëson formën e  rumbullakët të kokës së njeriut.
*) Shkëputur nga libri Canis Familiaris ose Kronikë Bastardësh, Tiranë 1994 (Vijon)

No comments:

Post a Comment