Monday, February 15, 2016

Gjuha e gjuhëve ose gjuha Primordiale 2



Pjesa e dytë, në të cilën Albanologu parashtron origjinën e Flakës dhe gjithçka tjetër që lidhet me të:
Njeriu/Shqiptari i parë qe ndezi zjarrin quhej Tomçja i Hankos
Por le ta lemë për një çast K-në dhe t’i drejtohemi një gërme tjetër. Juve mund t’iu duket rastësi, por nuk është aspak kështu, që në të gjithë gjuhët kryesore të botës, fjala që përckaton zjarrin fillon me gërmën F. Italisht – fuoco; Anglisht – fire; Gjermanisht – feuer, flame, feuerhard; Frëngjisht  - feu; e kështu me rradhë, për të ardhur, ose më saktë, për t’u nisur te shqipja, praj nga e kanë preardhjen të gjitha – flaka.
Përfytyroni, ju lutem, atë njeriun e lashtësisë, që zbuloi për herë të parë zjarrin. Fare rastësisht, nga një dru i ndezur prej shkrepëtimës së rrufesë. Dhe vazhdoni të përfytyroni kënaqësinë e tij, habinë  etij, kur ka provuar mishin e pjekur të atyre kafshëve. Se si e ka marrë këtë mish dhe ua ka shpënë miqve, të afërmve të familjes, fëmijëve të tij të vegjël që mezi prisnim ushqim të freskët, të gjithë të kënaqur nga shija e re në menunë e tyre deriatëherë monotone, me mish gjahu të pagatuar.
Tani, të nderuar zonja dhe zotërinj nuk besoj se do ta keni të vështirë të përfytyroni se ky njeri, kjo qenie e stërlashtë, që nuk kishte arritur ende t’i vinte nga një emër gjithçkaje përreth, do ta shihte të nevojshme ta ruante dhe ta mbante ndezur zjarrin. T’i jepte, kur e shihte të nevojshme, hov guhëve të tij dhe ta përdorte atë për qëllimet e tij utilitare.
Ffffuuu! ffffuuuu!
Në këtë mënyrë, zonja dhe zotërinj, lindi procesi i ruajtjes së zjarrit. Dhe tani, do t’iu lutesha pak të imitoni atë njeriun e parë, i cili, pasi ka vrarë një antilopë, pasi e ka rrjepur atë me kujdes me anë të një thike prej guri të mprehur në mënyrë primitive, është ulur së bashku me familjen dhe po përgatitet t’i këpusë një të pjekur të mirë për të organizuar një nga ato gostitë aq tradicionale që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Do t’iu lutesha ta vini veten, zonja e zotërinj të nderuar, në vendin e atij njeriu të lashtë dhe të bënit atë që edhe ai ka bërë mijëra e miliona vjet më parë për të ndezur thëngjijtë gjysmë të shuar të zjarrit që i ruante në vatrën e tij primitive. Po, po. Ashtu është. Ai nuk bënte gjë tjetër veçse frynte fffuuu!, ffffuuu!. Derisa flaka të ngjitej përpjetë.

E pra, a ju duket rastësi që flaka, fuoko, fire, e kështu me rradhë, fillojnë të gjitha me gërmën F? Edhe vetë gërma F a nuk i ngjan më shumë atyre flakëve të zjarrit që i ka marër era dhe po i shpërndan?
Por ka edhe më, të nderuar zonja e zotërinj. Sepse me flakën nuk lidhen vetëm fjalët flakë, fryj, filloj, fishkëllej, frikë (natyrisht, nga djegia që të shkaktojnë flakët), flokë (në kuptimin që këto qëndrojnë mbi kokën e njeriut ashtu siç qëndrojnë gjuhët e flakës mbi trungun që digjet) e të tjera. Por lidhet edhe fjala fis.
Njerëzit e dytë dhe të tretë që ndezën zjarr
Si i themi ne në gjuhën popullore? Ata janë një fis, një oxhak. E, nëse oxhak është një fjalë e huazuar (e ri-huazuar, pasi në original edhe ajo me siguri që do të ketë qënë fjalë shqipe), fjala fis ka mbetur në kuptimin e saj fillestar, të hershëm, ashtu siç është krijuar mijëra e miliona vjet më parë, nga ata që donin të tregonin me anë të saj një lidhje të përbashkët rreth një zjarri të vetëm. Sepse, rreth të njëjtit zjarr nuk mun të qëndronin veçse ata që kishin një lidhje gjaku me njeri-tjetrin, ata që ishin të bashkuar dhe të lidhur në një farë mënyre. Dhe, duke qënëse pikërisht zjarri, flaka, e simbolizonte këtë bashkim, nuk kishte se si edhe fjala përkatëse të mos kishte lidhje pikërisht me këtë dukuri aq të rëndësishme për jetën dhe të mos merrte trajtën fis, që e zbërthyer do të thotë e F-së është, ose F ishteF-ish, ose F-is. Pra FIS. Shkurt, njerëz që i përkasin të njëjtit zjarr, të njëjtës flakë. Njerëz që e pjekin mishin në të njëjtën vatër zjarri. Njerëz të afërm të lidhur me njeri-tjetrin. Kushërinj. Shiko, dolëm përsëri te një fjalë me K që fare mirë mund të zbërthehet sipas teorisë sonë për të provuar se vjen nga gjuha primordiale.
Le të vazhdojmë me F-në, me zjarrin. Mund t’iu duket çudi, por nuk është aspak ashtu, sepse kur njerëzit shuanin zjarrin përdornin fjalën fik, që është e barabartë me
F + ik ose, ikën F-ja.
E pra, Ikën F-ja, kushdo tani e ka të lehtë ta përkthejë si ikën zjarri dhe nuk kërkohet ndonjë përgatitje e madhe shkencore për ta kthyer në logjikën e saj origjinale, pra shuhet zjarri. Që, e thënë shkurt, do të thotë se Fik ka kuptimin shuhet zjarri. Dhe ky, siç e dimë të gjithë, është kuptim me të cilin e përdorim edhe sot e kësaj dite fjalën fik.
Shkëputur nga libri Canis Familiaris ose Kronikë Bastardësh, Tiranë 1994 (Vijon)

No comments:

Post a Comment